Të ardhurat nga Doganat në 8 muajt e parë të vitit arrijnë në rreth 165 miliardë lekë
Të ardhurat e administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave arritën në 164.9 miliardë lekë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, rreth 6.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas Doganave, ky është niveli më i lartë i të ardhurave i regjistruar për një periudhë tetëmujore.
Rritja është mbështetur nga të ardhurat më të larta nga akciza, TVSH-ja në import dhe taksat doganore. Administrata Doganore e lidh ecurinë edhe me përmirësimin e administrimit, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e kontrolleve.
Akciza sjell rreth 2 miliardë lekë më shumë
Të ardhurat nga akciza u rritën me rreth 2 miliardë lekë krahasuar me tetëmujorin e vitit 2025. Kontributin kryesor e dha importi i cigareve, me rreth 1.4 miliardë lekë më shumë, ndërsa sasia e importuar dhe konsumi u rritën me rreth 111 tonë.
Të ardhurat nga karburanti i importuar u rritën me 258 milionë lekë, nga produktet e tjera me 66 milionë lekë, nga duhani i prodhuar në vend me 41 milionë lekë dhe nga birra e importuar me 36 milionë lekë.
TVSH-ja në import rritet me 4.4 miliardë lekë
Të ardhurat nga TVSH-ja në import u rritën me rreth 4.4 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor e dha karburanti i importuar, me 2.5 miliardë lekë më shumë, i ndjekur nga veshjet me 673 milionë lekë, cigaret me 462 milionë lekë dhe kompjuterët e printerët me 304 milionë lekë.
Edhe të ardhurat nga taksat doganore u rritën me rreth 568 milionë lekë. Veshjet, këpucët dhe artikujt e tjerë kontribuuan me 136 milionë lekë më shumë, metalet bazë me 74 milionë lekë dhe produktet e tjera me 64 milionë lekë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rezultatet e tetëmujorit tregojnë vijimin e rritjes së të ardhurave doganore, ndërsa administrata synon të ndërthurë lehtësimin e procedurave për biznesin me forcimin e kontrolleve dhe luftën ndaj informalitetit.